Bashkimi Evropian ka njoftuar se më 12 tetor nis zbatimi i Sistemit të ri të Hyrje/Daljes (EES) në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen. Ky sistem do të zëvendësojë vendosjen tradicionale të vulave në pasaportat e udhëtarëve që nuk janë nga vendet e BE-së.
Sistemi EES do të regjistrojë automatikisht datat e hyrjes dhe daljes, qëndrimet e tejzgjatura dhe rastet e hyrjeve të refuzuara, ndërsa për çdo udhëtar do të mblidhen të dhëna personale dhe biometrike – përfshirë fotografi të fytyrës dhe gjurmë gishtërinjsh.
Zbatimi i sistemit do të bëhet në mënyrë graduale për një periudhë prej gjashtë muajsh, në 29 vende evropiane që përfshijnë shtetet e zonës Schengen, si dhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Fillimisht, sistemi do të nisë në gjysmën e pikave kufitare dhe pritet të jetë plotësisht funksional pas gjashtë muajsh.
“Ky sistem do të rrisë sigurinë, do të ndihmojë në identifikimin e qëndrimeve të paligjshme dhe do të luftojë mashtrimet me dokumente e identitet,” – tha komisionari për Migrim, Magnus Brunner.
Ndikimi për udhëtarët nga Ballkani Perëndimor
Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat gëzojnë lëvizje të lirë pa viza në BE, janë gjithashtu të përfshira në këtë sistem. Të gjitha pasaportat e këtyre vendeve janë biometrike dhe përputhen me standardet evropiane.
Megjithatë, nisja e EES ka ngjallur shqetësime për radhë të gjata dhe vonesa në kufi, veçanërisht për udhëtarët që përdorin trena, tragete apo fluturime për të hyrë në BE.
Ministria e Jashtme e Britanisë paralajmëroi qytetarët se kontrolli kufitar mund të zgjasë më shumë se zakonisht:
“EES mund të kërkojë disa minuta shtesë për secilin udhëtar. Udhëtarët duhet të jenë të përgatitur për pritje më të gjata në kufi.”
Komisioni Evropian ka njoftuar se në muajt para nisjes së zbatimit do të organizohen fushata informuese në aeroporte dhe në pika kufitare, për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë dhe të përshtaten me procedurat e reja.
Sistemi EES ishte planifikuar fillimisht të hynte në fuqi në nëntor të vitit 2023, por u shty disa herë për shkak të mosgatishmërisë teknike të disa vendeve anëtare.