Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, ka deklaruar se ka pasur një marrëveshje verbale ndërmjet kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për ta bërë këtë të fundit kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Sipas Krasniqit, kjo marrëveshje u konfirmua nga vet Kurti në një bisedë direkte me Limajn.
“Verbalisht, Limajt i është thënë nga Kurti: ‘Ju do të jeni kryetar i Kuvendit të Kosovës’, një ditë para se të mblidhej kryesia e partisë. Pas kësaj, Limaj ftoi strukturat drejtuese dhe e diskutuam këtë çështje në mëngjes”, tha Krasniqi në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ajo theksoi se vendimi për të hyrë në një partneritet me VV-në nuk ka qenë i lehtë për shkak të polarizimeve politike në vend, por Limaj ka vendosur të ecë përtej tyre.
Krasniqi u shpreh e bindur se, në rast se Limaj nominohet për postin e kryeparlamentarit, ai do ta kalojë lehtësisht numrin e nevojshëm të votave.
“Mendoj që Limaj zgjidhet kryetar i Kuvendit me më shumë se 61 vota. Marrëveshja me Vetëvendosjen i garanton atij mbështetje të gjerë parlamentare”, tha ajo.
Sipas Krasniqit, një emërim i mundshëm i Limajt në krye të Kuvendit do ta forconte edhe pozitën e Albin Kurtit për të siguruar votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeministër.