Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për të pranuar dokumente të dorëzuara nga institucionet serbe si dëshmi në proceset gjyqësore.
Në një komunikatë për media, OVL-UÇK ka theksuar se dokumentet janë pranuar nga “strukturat më famëkeqe të aparatit shtetëror serb”, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP), si dhe Komandën për “Kosovën dhe Metohinë” – një strukturë ushtarake e krijuar gjatë luftës në Kosovë.
“Sot, Gjykata Speciale pranoi si prova dokumente të dorëzuara nga institucionet më famëkeqe të aparatit shtetëror serb… Ky veprim i papranueshëm i gjykatës i jep besueshmëri një aparati që kreu krime të dokumentuara në Kosovë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Si përgjigje ndaj këtij zhvillimi, Organizata ka paralajmëruar protestë më 7 gusht, duke thënë se nuk do të lejojë që historia të shkruhet sipas narrativës së agresorit.
“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së nuk heshtin kur historia provon të rishkruhet nga dokumentet e dhunuesit”, përfundon komunikata.