Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Millosh Pleskoviqin për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, duke e dënuar me 15 vjet burgim.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 31 korrik 2025 nga gjyqtari Rrahman Beqiri, Pleskoviq u gjet fajtor për një ngjarje të ndodhur më 1 shtator 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren. Ai akuzohej nga Prokuroria Speciale se kishte shtënë me armë automatike në drejtim të gjashtë civilëve shqiptarë që po shkonin për të marrë dru, duke vrarë tre prej tyre: R.D., B.D. dhe F.B.
Prokuroria përshkruan se Pleskoviq, së bashku me persona të tjerë të armatosur dhe me uniforma policore e ushtarake, kishte ndaluar grupin e civilëve dhe më pas kishte hapur zjarr me armë “Kallashnikov”. Të mbijetuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë arritur të ikin, ndërsa tre viktimat mbetën të vrarë në vendin e ngjarjes. Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë, të gjymtuar rëndë.
Trupi gjykues përbëhej nga Rrahman Beqiri (kryetar), Violeta Namani-Hajra dhe Kujtim Krasniqi (anëtarë). Masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit u vazhdua deri në hyrjen në fuqi të vendimit. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Sipas dosjes, Pleskoviq kishte marrë pjesë në operacione ushtarake dhe policore të Forcave të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Serbisë, në bashkëkryerje me të tjerë, duke kryer shkelje të rënda të të drejtës ndërkombëtare humanitare ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë (1998–1999).
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 21 qershor 2024, Pleskoviq nuk e kishte pranuar fajësinë.
Rasti i Pleskoviqit shtohet në listën e gjatë të gjykimeve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Në Hagë, për këto krime ishin ndjekur penalisht figura të larta politike dhe ushtarake të Serbisë dhe Jugosllavisë, përfshirë:
Sllobodan Millosheviq (ish-president), i cili vdiq në paraburgim pa u dhënë një vendim përfundimtar.
Nikolla Shainoviq, i dënuar me 18 vite burg.
Dragolub Ojdaniq – 15 vjet burg.
Nebojsha Pavkoviq – 22 vjet burg.
Vlladimir Llazareviq – 14 vjet burg.
Sreten Llukiq – 20 vjet burg.