Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të qartë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk është në kompetencën e Qeverisë, por i takon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), si institucion i pavarur.
Deklarata e saj vjen pas reagimeve të shumta nga komuniteti i biznesit, i cili ka kundërshtuar mënyrën e zbatimit të këtij procesi.
“Vendimet për liberalizimin e tregut të energjisë i takojnë ZRrE-së, e cila është institucion i pavarur. Çdo kontest ligjor po trajtohet nga gjykatat dhe vetë ZRrE-ja. Qeveria ka miratuar ligjin për liberalizim në vitin 2015, ndërsa Kuvendi i Kosovës e ka miratuar atë në vitin 2016. Tani është vetëm çështje e zbatimit,” theksoi Rizvanolli në një prononcim për media.
Ndërkohë, Gjykata Komerciale ka vendosur të pezullojë përkohësisht njoftimin e ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë, duke vendosur masën e sigurisë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
ZRrE kishte paralajmëruar se 31 korriku do të ishte data e fundit që KEK do të vazhdonte furnizimin me energji për ato biznese që nuk kishin lidhur kontrata me operatorë të licencuar në tregun e lirë. Kjo masë tani është pezulluar, duke shtuar paqartësitë në procesin e liberalizimit dhe detyrimet e bizneseve në raport me furnizuesit e rinj.