Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili më herët ka pretenduar se qarkullimi i bizneseve në Kosovë është përmirësuar si rezultat i politikave të mira qeveritare.
Në një postim të drejtpërdrejtë dhe kritik, Bajrami e ka përgënjeshtruar Muratin, duke e akuzuar për keqinterpretim ekonomik dhe manipulim të realitetit. Sipas saj, rritja e qarkullimit nuk është tregues i suksesit, por pasojë direkte e rritjes së çmimeve, veçanërisht për artikujt e domosdoshëm.
“Tregoni ekonomistit – interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre.”
Deputetja ka shkuar më tej duke akuzuar qeverinë për përfitime të drejtpërdrejta nga tregtia e energjisë, duke sugjeruar se kompanitë që operojnë në këtë sektor kanë përjetuar rritje të ndjeshme të qarkullimit pikërisht për shkak të politikave të ndjekura nga Murati dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë.”
Në fund të reagimit të saj, Bajrami ka shprehur gatishmërinë për një përballje publike me Muratin, duke e ftuar të caktojë kohën dhe vendin për debat.
“Nëse nuk pajtohet me faktet dhe konceptet, unë jam gati për përballje – veç le ta cakton kohën dhe vendin.”
Ky reagim i Bajramit vjen në një moment kur qeveria po përpiqet të promovojë narrativën e suksesit ekonomik, ndërsa opozita intensifikon kritikat për menaxhimin e krizës së çmimeve dhe transparencën në sektorin energjetik.