Autoriteti italian i Antitrustit ka nisur një hetim ndaj koncernit teknologjik Meta, për dyshime mbi shkelje të ligjeve të konkurrencës të Bashkimit Evropian. Në qendër të hetimit është integrimi i Inteligjencës Artificiale (IA) në aplikacionin WhatsApp, pa miratimin e qartë të përdoruesve.
Të martën, më 29 korrik 2025, autoritetet italiane së bashku me policinë financiare kryen kontrolle në zyrat e filialit italian të Meta-s. Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse të BE-së.
Meta dyshohet se ka instaluar chatbot-in “Meta AI” në WhatsApp pa pëlqimin e përdoruesve. Përdoruesit ndihen të detyruar të instalojnë dy aplikacione të IA nëse nuk duan të përdorin “Meta AI. Kjo praktikë mund të kufizojë konkurrencën dhe të favorizojë ofertat e vetë Meta-s
Koncerni amerikan, që zotëron Facebook dhe Instagram, ka mbrojtur veprimin duke theksuar se ndërlidhja e aplikacioneve ofron përfitime për përdoruesit.
“Funksionet tona të IA-së janë të qasshme falas për miliona italianë, në një platformë që ata e njohin dhe i besojnë,” thuhet në reagimin e kompanisë.
Nëse akuzat konfirmohen, Meta mund të përballet me gjoba deri në 10% të xhiros vjetore globale, sipas rregullave të BE-së për konkurrencën.
Koncerni Meta ka njoftuar se nga tetori nuk do të lejojë më reklama dhe njoftime politike në platformat e veta brenda BE-së. Arsyeja: rregullorja e re e BE-së për transparencën e reklamave politike “nuk mund të zbatohet në praktikë”, sipas kompanisë.
Meta ka shprehur shqetësime për “pasiguri ligjore” dhe kritika ndaj Brukselit, me CEO-n Mark Zuckerberg që më herët e ka cilësuar qasjen e BE-së si “censurë”./DW