Gjatë muajit të kaluar, Europa dhe rajoni i Mesdheut u përballën me një valë rekord thatësire, sipas të dhënave të fundit nga Observatori Europian i Thatësirave (EDO). Në fillim të korrikut, më shumë se gjysma e tokës në Europë, kryesisht në pjesën lindore, ishte e prekur nga thatësira – një shifër që përfaqëson përhapjen më të madhe të thatësirës që nga viti 2012.
Krahasuar me mesataren e viteve 2012–2014, niveli i këtij viti ishte 21% më i lartë. Edhe pse kishte një rënie të lehtë krahasuar me muajin qershor, kur 55.5% e sipërfaqes së tokës ishte prekur, situata mbetet alarmante.
Vlerësimi i thatësirës është bërë përmes imazheve satelitore të programit Copernicus, duke marrë parasysh reshjet, lagështinë e tokës dhe gjendjen e vegjetacionit.
Europa Lindore është më e goditura nga thatësira. Në Serbi, Bullgari dhe Kosovë, toka është prekur në mënyrë pothuajse të plotë. Situatë e rëndë është regjistruar edhe në Armeni dhe Turqi, ku deri në 95% e sipërfaqes është e prekur. Në Turqi, thatësira e shoqëruar me erëra të fuqishme ka shkaktuar edhe zjarre.
Ndërkohë, Siria po përjeton një krizë të thellë për shkak të thatësirës, e cila rrezikon të shkatërrojë të korrat e grurit dhe të kërcënojë sigurinë ushqimore të rreth 16 milionë banorëve, sipas OKB-së.
Në Europën Perëndimore, ndikimi ka qenë më i ndryshueshëm. Në Francë, një e treta e sipërfaqes së tokës është prekur, ndërsa Spanja dhe Portugalia kanë qenë më pak të goditura nga thatësira./DW