Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se po vazhdojnë investimet në infrastrukturën kritike të vendit, duke theksuar përparimin e punimeve në projektin e rehabilitimit të kanalit Ibër-Lepenc.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka shpërndarë pamje nga punimet në veri të vendit, duke e cilësuar projektin si një investim jetik. “Kanali i Ibër-Lepencit po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurt,” ka deklaruar ai.
Edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se projekti, me vlerë rreth 13 milionë euro, është afër përfundimit. Ajo ka theksuar se kontrata fillestare kishte qenë problematike dhe kishte rezultuar me vetëm 10% zbatim për disa vite.
“Pas ndërprerjes së kontratës dhe rishpalljes së saj, në dy vitet e fundit progresi ka arritur në rreth 90%, dhe pritet të përfundojë gjatë muajve të ardhshëm,” tha Rizvanolli.
Kanali Ibër-Lepenc, me gjatësi 49 kilometra, është një nyje kritike për furnizimin me ujë të pijshëm, ujitje për bujqësi dhe prodhim të energjisë. Nga 20 kilometra të pjesës së hapur të kanalit, 10 kilometra – zonat më të dëmtuara – po rehabilitohen përmes bashkëpunimit mes ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Kosovës.