Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare. Kallëzimi është bërë së bashku me deputetët Ahmedin Skrijelj dhe Minela Kalender.
Shkak për padinë është një deklaratë e Bërnabiq gjatë një konference për shtyp pas protestave në Novi Pazar, ku ajo kishte thënë:
“Dhe dëgjuam thirrjen Allahu Ekber dhe gjëra tjera të neveritshme.”
Sipas Kamberit, kjo fjali stigmatizon fenë islame dhe identitetin e shqiptarëve myslimanë, duke i lidhur me “të neveritshmen”, “rrezikun” dhe “të huajin” në një shtet që ende përballet me pasojat e nacionalizmit agresiv të viteve ’90.
Ai theksoi se padia nuk është një veprim politik, por një thirrje për drejtësi.
“Gjuha e urrejtjes nuk mund të mbetet vetëm çështje politike apo moraliteti publik. Ajo është, para së gjithash, çështje ligjshmërie dhe drejtësie,” deklaroi Kamberi.