Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, për të diskutuar situatën politike në vend.
Sipas ambasadorit, biseda u fokusua në nevojën për bashkëpunim ndërmjet partive politike për të gjetur një zgjidhje urgjente ndaj ngërçit aktual, në interes të Kosovës dhe përballjes me sfidat e brendshme dhe ndërkombëtare.
“U dakorduam për nevojën që partitë të punojnë së bashku për një zgjidhje urgjente në interes të vendit, në mënyrë që Kosova të mund të përballet me çështje të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare,” shkroi Hargreaves.
Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet komunale të tetorit, ku ambasadori theksoi rëndësinë që të gjitha komunitetet e Kosovës të përfaqësohen përmes pjesëmarrjes së partive në procesin zgjedhor.
Ky mesazh vjen në një moment kur skena politike në Kosovë po përballet me tensione dhe bllokime institucionale, ndërsa faktori ndërkombëtar vijon të nxisë dialog dhe stabilitet.