Shkruan: Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës
Vendimi i Presidentes për ta tërhequr kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me arsyetimin e caktimit të gjyqtarit raportues Radomir Llaban, shtron pikëpyetje serioze për qasjen institucionale ndaj rendit kushtetues në vend.
Edhe pse është legjitime që institucionet të kenë rezerva ndaj individëve specifikë – sidomos kur ekzistojnë raportime të përsëritura nga organet e sigurisë për cenim të sigurisë apo rendit kushtetues – mungesa e iniciimit të hetimeve apo kallëzimeve penale për mbi tetë vite bën të vështirë arsyetimin e përdorimit të një elementi thjesht procedural, siç është caktimi i gjyqtarit raportues, si shkak për tërheqje të kërkesës nga rasti me peshën më të madhe kushtetuese të momentit.
Në praktikë, gjyqtari raportues nuk vendos as fatin dhe as përmbajtjen e vendimit. Paneli prej tre gjyqtarësh shqyrton fillimisht pranueshmërinë, ndërsa nëse së paku një gjyqtar nuk pajtohet me propozimin për refuzim, rasti procedohet në përbërjen e plotë të Gjykatës, ku vendoset me shumicë votash për secilën pikë, si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Madje, edhe në rast se gjyqtari raportues bie në pakicë, teksti final i aktgjykimit mund të hartohet nga një gjyqtar tjetër me vendim të Kryetarit.
Më tej, procesi i tërheqjes së kërkesës nuk e detyron Gjykatën ta ndalojë trajtimin. Kushtetuta i jep të drejtë këtij institucioni të vazhdojë shqyrtimin kur identifikohet interes publik madhor – kushte të cilat padyshim përmbushen në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit 30-ditor dhe vendi gjendet në një vakum të rrezikshëm institucional.
Prandaj, Gjykata Kushtetuese duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund, jo vetëm për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, por edhe për të mbrojtur integritetin e saj institucional dhe për të mos minuar besimin publik në vendimmarrjen e saj si trupë kolegjiale – pavarësisht rezervave ndaj një gjyqtari të vetëm. Aq më tepër kur kërkesat aktuale të partive politike nuk prekin qartë pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afateve kushtetuese.
Gjykata nuk duhet të lejojë që një çështje e tillë kapitale për rendin kushtetues të deformohet nga konsiderata procedurale – sepse në thelb është fjala për sigurinë juridike të shtetit.