Mbi 100 persona rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të rënda që goditën shtetin malor të Uttarakhand në Indinë Veriore, të martën në mesditë.
Ngjarja tragjike ndodhi në zonën Uttarkashi, ku ujërat e furishme përfshinë fshatin turistik Dharali, duke përmbytur rrugë, ndërtesa dhe duke lënë pas rrënoja masive. Deri tani, rreth 130 persona janë shpëtuar, ndërsa 10 ushtarë nga baza ushtarake në Harsil figurojnë ndër të zhdukurit.
Katër viktima janë konfirmuar nga mediat lokale, por autoritetet ende nuk kanë gjetur asnjë trup. Reshjet ekstreme nisën rreth orës 13:30 me orën lokale, duke fryrë lumin Kheerganga dhe duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme. Balta dhe rrënojat bllokuan pjesërisht rrjedhën e lumit Bhagirathi, duke krijuar një liqen artificial që ka përmbytur edhe një helipad qeveritar, duke rritur rrezikun për zonat përreth.
Kushtet atmosferike e kanë bërë të pamundur përparimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Shirat e dendura, rrëshqitjet e dheut dhe rrugët e dëmtuara rëndë po pengojnë çdo lëvizje. Për më tepër, ndërprerja e energjisë dhe mungesa e sinjalit kanë ndërprerë komunikimin me terrenin.
Zyrtarët paralajmërojnë për reshje të tjera në ditët në vijim dhe i kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në zonat e rrezikuara. Shkollat janë mbyllur në disa rajone të Uttarakhand-it, ndërsa gjendja mbetet kritike.
Fshati Dharali, pjesë e itinerarit të pelegrinazhit Char Dham Yatra, zakonisht frekuentohet nga turistë në verë. Këtë sezon, për shkak të paralajmërimeve për rrezik, numri i vizitorëve ishte më i ulët – çka mund të ketë shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Uttarakhand është një nga rajonet më të ndjeshme ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve në Himalaje. Kujtojmë që në vitin 2013, përmbytjet masive në këtë zonë morën mijëra jetë dhe shumë trupa nuk u gjetën kurrë.