Një studim i fundit nga Danimarka ka ngritur alarmin për ndikimet negative të përdorimit të tepruar të ekraneve tek fëmijët dhe adoleshentët. Sipas studiuesve, ekspozimi i zgjatur ndaj pajisjeve elektronike si tabletët, telefonët apo televizorët shoqërohet me rritje të rrezikut për sëmundje të zemrës dhe çrregullime metabolike – sidomos kur kombinohet me mungesë gjumi.
Studimi, i publikuar në revistën Journal of the American Heart Association, thekson se fëmijët dhe të rinjtë që kalojnë shumë kohë para ekranit janë më të prirur të zhvillojnë presion të lartë të gjakut, nivele të larta të kolesterolit dhe rezistencë ndaj insulinës – faktorë që lidhen ngushtë me sëmundjet kardiometabolike si diabeti apo sëmundjet kardiovaskulare.
Duke analizuar të dhënat e më shumë se 1.000 fëmijëve të moshave 10 dhe 18 vjeç, studiuesit ekzaminuan lidhjen mes kohës së qëndrimit para ekranit, zakoneve të gjumit dhe faktorëve të rrezikut për shëndetin e zemrës.
Rezultatet treguan se çdo orë shtesë përpara një ekrani rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e këtyre sëmundjeve, me efekte më të theksuara tek adoleshentët sesa tek fëmijët më të vegjël. Situata përkeqësohet edhe më shumë në rastet kur fëmijët flenë më pak.
“Kjo do të thotë se një fëmijë që kalon tre orë në ditë para një ekrani ka një rrezik të përgjithshëm 25% deri në 50% më të lartë se bashkëmoshatarët e tij që përdorin më pak ekranet,” shpjegon David Horner, autori kryesor i studimit dhe studiues në Universitetin e Kopenhagës.
“Kur këtë e shtrijmë në nivelin e gjithë një popullsie fëmijësh, kemi të bëjmë me një rritje të rëndësishme të rrezikut për sëmundje kardiometabolike në moshë të re – rrezik që mund të vazhdojë edhe në moshën e rritur.”
Megjithëse ka ende debat mes ekspertëve për ndikimin afatgjatë të teknologjisë tek fëmijët, shumica e studiuesve bien dakord që mosha e re është më e ndjeshme ndaj pasojave negative të përdorimit të pajisjeve elektronike, sidomos kur ato zëvendësojnë aktivitetin fizik dhe kohën për pushim cilësor.
Ky studim përforcon rëndësinë e vendosjes së kufijve të qartë për përdorimin e ekraneve në fëmijëri, si dhe nevojën për të promovuar më shumë aktivitet fizik, rutinë të rregullt gjumi dhe një marrëdhënie të shëndetshme me teknologjinë./Informim.net