Brazili do t’i përgjigjet një rritjeje të ndjeshme të tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara me një plan emergjence dhe do ta paraqesë rastin e tij në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), tha Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.
Gjatë një takimi të Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social të mbajtur në Brasilia, presidenti e përshkroi lëvizjen tregtare të SHBA-së si “të padrejtë” dhe theksoi përparimin e Brazilit në skenën ndërkombëtare.
“Angazhimi i qeverisë është ndaj popullit brazilian. Ne do të zbatojmë një plan emergjence për të zbutur këtë sulm të padrejtë dhe për të lehtësuar dëmin e tij ekonomik dhe social”, tha Lula.
“Ne do t’i mbrojmë punëtorët dhe kompanitë brazilianë të prekura nga këto masa dhe do të përdorim të gjitha mekanizmat e disponueshëm, përfshirë Organizatën Botërore të Tregtisë, për të mbrojtur interesat tona”, u tha Lula udhëheqësve të biznesit, organizatorëve të sindikatave, përfaqësuesve të bujqësisë dhe anëtarëve të shoqërisë civile.
Brazili vazhdon të ndjekë negociatat, tha ai, duke vënë në dukje se bisedimet me autoritetet amerikane kanë filluar që nga marsi.
Brazili do të njoftojë zyrtarisht përgjigjen e tij ndaj rritjes së tarifave më 18 gusht, kur ministria e tij e jashtme të paraqesë një kërkesë në OBT për të kundërshtuar masën e miratuar nga Shtetet e Bashkuara.