Ali Ahmeti merr pjesë në protestën në Prishtinë: “UÇK-ja asnjëherë nuk është marrë me popullaten civile”

by engel

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë të mërkurën në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në Prishtinë, ku mbajti edhe një fjalim përpara pjesëmarrësve të shumtë.

Gjatë adresimit të tij, Ahmeti theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka qenë gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se lufta e saj ka qenë ekskluzivisht për çlirim, duke mohuar çdo përfshirje në akte kundër civilëve.

banner

“Që nga viti 1994, kur filloi t’i komunikojë qëllimet e saj, UÇK-ja i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës. Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm çlirim,” u shpreh Ahmeti.

Duke theksuar përfshirjen masive të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në protestë, Ahmeti tha se kjo është një dëshmi e solidaritetit të popullit shqiptar në mbështetje të çlirimtarëve që, sipas tij, po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

“Shqiptarët nga të gjitha anët – nga Struga, Gostivari, Shkupi, Kumanova – vërshonin rrugët me pjesëmarrjen në këtë protestë për drejtësi. Vendi ynë i bashkuar si një trup i vetëm. Na është rrezikuar nderi dhe dinjiteti, prandaj sot si një tru jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët.”

Në fjalimin e tij, kreu i BDI-së gjithashtu nënvizoi se lufta e UÇK-së nuk ka qenë kurrë kundër ndonjë populli apo etnie në Kosovë dhe se kontribuoi në ndryshime pozitive në rajon, duke afruar Perëndimin me Ballkanin.

“Nuk është luftë tradhtare e as terroriste. UÇK me udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike duke e sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan,” përfundoi Ahmeti.

Protesta e 7 gushtit u zhvillua për të kundërshtuar veprimet e Gjykatës Speciale dhe për të shprehur mbështetjen ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy