E ngarkuara në detyrë në Ambasadën e SHBA në Prishtinë, Anu Prattipati, thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e bllokadës politike në vend. Në një intervistë për Gazeta Express, ajo tha se Administrata Trump “po kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancojë prioritetet e përbashkëta, dhe se mundësitë për të forcuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve “mund të mos shfrytëzohen nëse kjo bllokadë vazhdon.”
Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “rrugë të pasigurt për krijimin e tyre” është një partner te i cili SHBA nuk mund të “mbështetet plotësisht gjithmonë.”
Prattipati theksoi se “Udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre” dhe se bllokada politike duhet të zgjidhet prej tyre. “Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i marrin vendimet në vend të udhëheqësve apo popullit të Kosovës.”
Për të lulëzuar partneriteti me SHBA-në, diplomatja amerikane thekson se “Kosova duhet të ofrojë kushtet”, ndërsa ka treguar gjithashtu se çfarë mund të pritet nga Administrata Trump.
INTERVISTA
Gazeta Express: Kosova po kalon nëpër një situatë të pazakontë. Kanë kaluar më shumë se 170 ditë nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ende nuk kemi as kuvend të konstituar dhe as qeveri. Ju e keni ndjekur këtë situatë, keni takuar partitë politike. Cili është përfundimi juaj? Kjo situatë nuk është thjesht papërgjegjësi, apo jo?
Anu Prattipati: Formimi i qeverisë pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe kjo bllokadë e zgjatur politike po shkakton humbje mundësish për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund të avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucione bazë dhe me rrugë të pasigurt për t’i krijuar ato është një partner te i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për të formuar institucione mund të bëjë që ato të zgjedhin vende të tjera. Mundësitë për të forcuar marrëdhëniet tona ekonomike mund të humben nëse kjo bllokadë vazhdon. Në fund, kjo është një çështje që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës, por ne i inkurajojmë ata të punojnë së bashku për të përmbushur mandatin që u është dhënë nga populli i Kosovës.
Gazeta Express: Pse nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje apo përpjekje ndërkombëtare për të ndërmjetësuar që palët të krijojnë institucione? Një ndihmë e tillë ka ekzistuar në të kaluarën.
Anu Prattipati: Ne nuk jemi më në një fazë të ndërtimit të shtetit. Siç tha zëvendëssekretari i shtetit Landau në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit: “Shtetet e Bashkuara mund të jenë një partner i gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Ne mund të punojmë shumë; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një ‘realizmi praktik’ për vendet e tyre.” Udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për të zgjidhur sfidat që i ka përball vendi. Kjo do të thotë se ata duhet të punojnë së bashku për të gjetur kompromis. Është përgjegjësi e tyre që ta zgjidhin këtë bllokadë. Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund të marrin vendime në vend të udhëheqësve apo qytetarëve të Kosovës.
Gazeta Express: Gjykata Kushtetuese dha një afat 30-ditor për palët që të gjejnë një mënyrë për të formuar institucionet – afat që nuk u respektua. Tani Gjykata ka vendosur që deputetët duhet të ndalojnë veprimet dhe vendimet e tyre. A mendoni se këta gjyqtarë mund të ofrojnë një zgjidhje korrekte, gjë që për shumëkënd dështuan ta bëjnë në rastin e parë?
Anu Prattipati: Nuk është roli i Shteteve të Bashkuara të interpretojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo mënyrën se si ato duhet të zbatohen. Udhëheqja politike duhet të punojë së bashku për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Qytetarët e Kosovës presin që udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin për të punuar për të mirën e vendit.
Gazeta Express: Kosova do të mbajë zgjedhjet lokale së shpejti. Katër komunat me shumicë serbe në veri drejtohen nga kryetarë shqiptarë pasi serbët i braktisën institucionet në vitin 2023. A prisni pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, përkatësisht të Listës Serbe?
Anu Prattipati: Dua të ju referoj se çfarë tha zëvendëspresidenti JD Vance në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt. Ai tha: “Nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët e tu.” Më pas shtoi: “Besoj se përjashtimi i njerëzve, i shqetësimeve të tyre, apo, edhe më keq, mbyllja e mediave, mbyllja e zgjedhjeve, apo përjashtimi i njerëzve nga procesi politik nuk mbron asgjë. Në fakt, është mënyra më e sigurt për të shkatërruar demokracinë.” Partitë politike serbe në Kosovë përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi. Ato janë pjesë e peizazhit politik dhe nuk duhet të bllokohen nga pjesëmarrja politike. Të gjitha partitë duhet të mbështesin të drejtën e njerëzve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kjo do të thotë të parandalohen çdo përpjekje për të bllokuar partitë politike serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje. Përdorimi i ndonjë truku administrativ apo procedurial për të ndaluar pjesëmarrjen e partive apo individëve që përndryshe janë të kualifikuar do ta njolloste rezultatin.
Gazeta Express: Si ambasadë, keni reaguar shpesh ndaj veprimeve të qeverisë së Kosovës, duke i përshkruar ato si veprime të pakoordinuara. Kemi pasur përpjekje nga kjo qeveri për të hapur urën kryesore mbi Ibër. Kur ky plan dështoi, u mor vendim për të ndërtuar dy ura të reja. Ka pasur edhe reagime të tjera nga diplomatët e akredituar në Kosovë. Cili është qëndrimi juaj?
Anu Prattipati: Më lejoni të them këtë: Shtetet e Bashkuara duan të forcojnë lidhjet, veçanërisht ekonomikisht, me vendet e rajonit. Për ta arritur këtë dhe për të rritur mirëqenien e përbashkët, ne dhe qytetarët e Kosovës kemi nevojë për paqe dhe stabilitet. Veprimet që rrisin tensionet në rajon e pengojnë SHBA-në të punojë në mënyrë produktive me Kosovën. Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti është përgjegjëse për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Jemi veçanërisht të shqetësuar për mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura dhe deklaratat për veprime të njëanshme për të integruar arsimin dhe shëndetësinë në sistemin e Kosovës. Ne nuk vëmë në dyshim se këto institucione duhet të integrohen në fund në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra si ndodh kjo është shumë e rëndësishme. Çdo plan për ndryshimin e statusit të institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar dhe diskutuar paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe komunitetin serb në Kosovë
Gazeta Express: Si janë aktualisht marrëdhëniet Kosovë–SHBA? Z. Kurti nuk ka qenë udhëheqësi më bashkëpunues i Kosovës me Amerikën, e cila për gjenerata politikanësh është konsideruar aleati kryesor.
Anu Prattipati: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj një marrëdhënieje të fortë dhe produktive me Kosovën dhe kërkojnë të bashkëpunojnë për çështje që avancojnë stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien rajonale. Kosova duhet të sigurojë kushtet për këtë partneritet. Veprimet që ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës jo vetëm që rrezikojnë marrëdhënien dypalëshe, por bien ndesh me prioritetet kryesore të SHBA në rajon, sidomos forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Stabiliteti dhe siguria rajonale janë çelësi për mirëqenien ekonomike. Gjatë një vizite në Kosovë më 12–14 korrik, zyrtari i lartë Brendan Hanrahan e përsëriti këtë mesazh dhe inkurajoi qeverinë të krijojë një mjedis të përshtatshëm për më shumë investime amerikane.
Gazeta Express: Ka shumë pasiguri në Kosovë për qasjen që do të ndjekë Administrata Trump në muajt në vijim. Çfarë mund të na thoni?
Anu Prattipati: Administrata Trump ka qenë e qartë: qeveria e SHBA e vendos përparësi te siguria, stabiliteti dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës ndan këto përparësi dhe është e përkushtuar për të promovuar stabilitetin dhe paqen, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të pakufizuara. Marrëdhëniet SHBA–Kosovë kanë potencial të madh, veçanërisht në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është në të mirë si të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe të Kosovës. Shohim mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe sigurinë kibernetike. Në anën tjetër, nëse SHBA sheh që qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për të ndjekur një bashkëpunim të tillë.

