Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka nderuar dhe falënderuar Inspektor Klajdi Mustajn për ndërhyrjen e tij të guximshme dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë shpëtimit të tre qytetarëve të lënduar në një aksident rrugor në aksin Levan-Fier.
Për këtë akt të veçantë human dhe profesional, Drejtori Proda i akordoi Inspektorit Mustaj Certifikatën për Shërbime të Dalluara, duke vlerësuar kontributin e tij në mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Në mesazhin e tij, Drejtori Proda theksoi:
“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve. Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”
Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit që nga shkurt 2024, pas përfundimit të Kolegjit Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ai ka diplomë Bachelor në Shkenca Juridike dhe aktualisht vijon studimet për Master.
Linku ku mund te shikoni videon: https://youtu.be/IjKEtqkXNYo?si=Fv5chFMhSdpT-Fle