Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zhvilluar sot në Istog një punëtori përgatitore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me pjesëmarrjen e kandidatëve për kryetarë komunash, kryetarëve të degëve, Kryesisë Qendrore, deputetëve të Kuvendit dhe ekipit qendror të partisë.
Gjatë takimit, u diskutua për organizimin e fushatës, strategjinë, mesazhet për qytetarët dhe programin e LDK-së për secilin qytet të vendit. Sipas njoftimit të partisë, është bërë një analizë e situatës në çdo komunë, duke u hartuar plane konkrete që përfshijnë investime në infrastrukturë, shkolla, spitale, gjelbërim të hapësirave publike, mbështetje për bizneset dhe nxitje të punësimit të të rinjve.
“12 tetori nuk është thjesht një datë zgjedhjesh; është një moment i madh për të vendosur se çfarë duam për komunat tona në katër vitet e ardhshme,” thuhet në deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Partia ka theksuar se fushata do të zhvillohet derë më derë dhe lagje më lagje, me synimin për të dëgjuar qytetarët dhe për t’u prezantuar vizionin e saj. “Qeverisja e mirë nuk vjen nga lart – ajo fillon nga qytetet tona dhe nga qytetarët që kërkojnë më shumë për vendin e tyre,” theksohet në komunikatë.
LDK ka bërë të ditur se në këtë garë hyn e bashkuar, e përgatitur dhe me vizion të qartë për zhvillimin e çdo qyteti dhe të gjithë Kosovës.