Vuthaj, 10 gusht 2025 – Deklarata e fundit e Ministres së Kulturës dhe Mediave të Malit të Zi, dr. Tamara Vujović, se do të urdhërojë heqjen e bustit të Isuf Kamer Çelajt nga fshati Vuthaj, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin shqiptar. Ministrja, duke u mbështetur në pretendime të pavërteta dhe të fabrikuara, ka cilësuar figurën e Isuf Kamer Çelajt si “bashkëpunëtor të pushtuesve” dhe ka thënë se monumenti është ngritur në mënyrë të paligjshme.
Komuniteti shqiptar në Mal të Zi e konsideron këtë deklaratë tendencioze, me qëllime të hapura anti-shqiptare, e mbështetur në informata të rreme dhe shpifje historike. Sipas tyre, Isuf Kamer Çelaj ka qenë një atdhetar i denjë, i njohur për kontributin e tij në mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe në përpjekjet për liri e dinjitet kombëtar.
Busti i tij, i vendosur në Vuthaj që nga viti 2013, përfaqëson një shenjë kujtese dhe nderimi për brezat e ardhshëm, jo një simbol që duhet fshirë nga hapësira publike. Aktivistë, historianë dhe qytetarë të kësaj treve kanë theksuar se veprimet e tilla përbëjnë përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të fyer kujtesën kolektive shqiptare në Mal të Zi.
Sipas burimeve lokale, pritet që organizatat shqiptare të reagojnë në mënyrë të koordinuar dhe të ndërmarrin hapa ligjorë e diplomatikë për të mbrojtur figurën e Isuf Kamer Çelajt dhe për të penguar çdo tentativë të heqjes së monumentit.
Ky rast po shihet si një test për marrëdhëniet ndëretnike dhe për respektimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi./Plava e Gucia Sot
