Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur të dielën në mesditë në Gjilan, ku humbën jetën tre persona, policia ende nuk ka arritur të arrestojë tre të dyshuarit kryesorë: Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra.
Drejtori rajonal i policisë në Gjilan, Adnan Rukiqi, deklaroi se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar për lokalizimin e tyre. “Janë njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe janë kryer kontrolle të shumta, por të dyshuarit nuk janë gjetur ende”, tha Rukiqi.
I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, është i njohur për organet e drejtësisë dhe ka precedent penal për vepra të ndryshme, duke përfshirë sulme, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, konfirmoi se pas marrjes së informacionit për ngjarjen, ekipet hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer urdhërkontrolle, por deri më tani pa sukses në gjetjen e personave të kërkuar.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë.