Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka fajësuar partitë opozitare për zvarritjen e reformave në sistemin e drejtësisë, duke thënë se për vite me radhë ato kanë kundërshtuar proceset reformuese dhe kanë përdorur instrumente kushtetuese për t’i vonuar ato.
Në një postim në Facebook, Haxhiu tha se opozita ka dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese kundër amendamenteve për procesin e vetingut, ka kontestuar dy herë reformën në Këshillin Prokurorial dhe po aq herë Ligjin për krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
Sipas saj, në vend që të kontribuonte në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, opozita ka zgjedhur një qasje obstruksioniste.
Ajo kujtoi se edhe Lëvizja Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishte në opozitë, ka dërguar çështje në Gjykatën Kushtetuese, por vetëm ato që i konsideronte të dëmshme, si Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, Ligji për Amnisti, apo demarkacioni me Malin e Zi.
Megjithatë, Haxhiu tha se pavarësisht pengesave, reformat kanë avancuar, duke përmendur miratimin e procesit të vetingut, realizimin e reformës në Këshillin Prokurorial dhe faktin se Byroja për konfiskimin e pasurisë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Pavarësisht vonesave dhe përpjekjeve për ta ndalur këtë proces, rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës është e pandalshme,” përfundoi Haxhiu.