Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, për të cilën i dyshuari kryesor, Mefail Shkodrani, është shpallur në kërkim.
Sveçla ka bërë të ditur se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë zyrtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit.
“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë,” ka deklaruar ministri në detyrë.
Ai ka theksuar se është i pakompromis në ruajtjen e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik dhe se mbështet çdo formë të koordinimit ndërinstitucional për të siguruar institucione të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve.
Sveçla ka bërë thirrje edhe ndaj sistemit të drejtësisë që të veprojë me vendosmëri, “në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”.