PDK nuk i voton kandidatët e VV-së që kundërshtuan Thaçin e UÇK-në

by engel

Kosova po hyn në muajin e shtatë të krizës institucionale, me Kuvendin ende të pakonstituuar dhe pa një kryeparlamentar, ndërsa partitë kryesore vazhdojnë të bllokojnë njëra-tjetrën. Ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po pengon qëllimisht formimin e institucioneve të reja.

Në një intervistë për TV Dukagjini, Beqa tha se Kurti “nuk ka vullnet” për të pasur institucione funksionale dhe po e përdor këtë ngërç për qëllime politike. Ai kritikoi ashpër reagimet e zyrtarëve të VV-së ndaj Gjykatës Kushtetuese pas publikimit të pjesës së vendimit që urdhëron konstituimin e Kuvendit.

banner

PDK, sipas Beqës, nuk do të votojë asnjë kandidat për kryetar Kuvendi që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar ose ka bërë deklarata kundër UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

“Nuk mund t’i japim votën dikujt që ka qenë kundër vlerave të Kosovës, kundër dëshmorëve e martirëve. Duhet parë mirë kush është personi që do të kandidohet,” – theksoi Beqa.

Pavarësisht vendimit të Kushtetueses që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga publikimi i aktgjykimit të plotë, ende nuk është caktuar data e seancës. Procedura parashikon që kandidatët për kryeparlamentar të votohen jo më shumë se tri herë, përmes votimit të hapur.

Bllokimi aktual po thellon mosbesimin mes partive dhe po zgjat një situatë që shumë analistë e cilësojnë si dështim të klasës politike për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe kushtetutën e vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy