Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane po veprojnë në unitet për të arritur një përfundim të luftës në Ukrainë. Komentet e tij erdhën pas një bisede “shumë të mirë” telefonike të mbajtur të mërkurën me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderë evropianë.
“E vlerësoj lidershipin e presidentit Trump dhe koordinimin e ngushtë me aleatët. Tani topi është në fushën e Putinit,” shkroi Rutte në rrjetin social X, duke nënvizuar se tani vendimi për hapat e ardhshëm i takon presidentit rus.
Deklarata vjen pak ditë para takimit të planifikuar mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili do të mbahet të premten në Alaska – një zhvillim që pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare, për shkak të mundësisë së diskutimeve mbi një armëpushim ose marrëveshje paqeje.
Rutte theksoi se NATO, BE dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë me një qëllim të përbashkët: t’i japin fund një konflikti që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, shkatërrim masiv dhe ka tronditur sigurinë evropiane dhe globale.