Sot është 14 gusht. Ndërkohë që qytetarët e Kosovës përballen me krizën ekonomike, 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës ende nuk kanë marrë pagën e muajit korrik, shkruan Hykmete Bajrami, kryetare e grupit parlamentar të LDK-së.
700 familje presin një nënshkrim nga Kryeministri Albin Kurti – një nënshkrim që ai refuzon ta japë, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky nuk është një problem ligjor. Nuk është mungesë e Kuvendit. Ky është një vendim politik, i qëllimshëm, që synon të ndëshkojë gazetarët e pavarur dhe të shantazhojë institucionin publik mediatik.
Dy komuna – Prishtina dhe Gjilani – nuk kanë pasur buxhet të miratuar në Kuvend, por Ministria e Financave u ndan çdo muaj 1/12 e buxhetit të vitit 2024. Prishtina është penalizuar për shkak të neglizhencës së Hekuran Muratit, por nuk është ndalur asnjëherë financimi.
Ndërkohë, për RTK-në, Kurti përdor një justifikim banal: se Ligji nuk lejon ndarjen e buxhetit pa miratimin e një Komisioni Parlamentar që nuk ekziston.
Qeveria jolegjitime e Albin Kurtit – e tillë që nga 15 prilli kur deputetët janë betuar jashtë procedurave kushtetuese – ka ndarë miliona euro për projekte që nuk figurojnë askund në Ligjin e Buxhetit.
Por kur vjen puna te RTK-ja, ai zgjedh të bllokojë pagat, sepse nuk mund të kontrollojë të gjithë gazetarët, pavarësisht se ka kapur bordin dhe menaxhmentin.
Në vitin 2021, nën qeverisjen e Kryeministrit Avdullah Hoti, edhe pa Kuvend të konstituar, pagat janë ekzekutuar pa vonesa dhe pa asnjë shkelje ligjore. Kjo dëshmon se zgjidhja ekziston – por mungon vullneti politik.
Ky nuk është vetëm një akt i padrejtësisë. Ky është abuzim me pushtetin. Është shantazh institucional. Është përpjekje për të heshtur zërin e lirë mediatik.
Prandaj, i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të veprojë menjëherë. Institucionet duhet të çlirohen nga uzurpatorët. Demokracia nuk mund të mbijetojë nëse gazetarët mbahen peng dhe familjet e tyre lihen pa bukë për interesa politike.