Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se të enjten mbrëma, më 14 gusht 2025, rreth orës 23:59, do të ndalet përkohësisht operimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”.
Sipas KEK-ut, pas 50 ditësh funksionim të pandërprerë, është shfaqur nevoja për ndërhyrje në elektrofilter dhe për realizimin e disa sanimeve të tjera të domosdoshme tekniko-teknologjike dhe mjedisore. Ndalja, sipas njoftimit, ka për qëllim mbrojtjen e pajisjeve nga dëmtime të mundshme dhe shmangien e defekteve të mëdha që mund të ndikojnë në operim dhe mjedis.
Stafi teknik do të nisë menjëherë punën për identifikimin dhe sanimin e defekteve, me synimin që njësia B1 të rikthehet në funksionim sa më shpejt dhe me performancë të përmirësuar, sidomos në aspektin mjedisor.
Kujtojmë se në qershor, kjo njësi ishte jashtë funksionit për një periudhë, për shkak të sanimeve të kryera në atë kohë.