Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i akuzuar për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe vazhdim të kapjes së tyre.
I ftuar në emisionin “FIVE” në TV Dukagjini, Guri tha se mungesa e hapave për zhbllokimin e institucioneve – përfshirë dështimin e konstituimit të Kuvendit për disa muaj me radhë – tregon qartë synimin e pushtetit për të ruajtur kontrollin dhe për të vazhduar, sipas tij, keqpërdorimin e buxhetit të shtetit.
“Janë jashtëzakonisht shqetësuese, pasi kjo lidhet ngushtë me insistimin e tyre për bllokimin e institucioneve. Nuk ka shpjegim tjetër logjik se pse nuk kanë dashur, kur kanë pasur disa mundësi për t’i zhbllokuar, dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim. Arsyeja është e qartë: po dëshirojnë ta vazhdojnë kapjen e institucioneve dhe keqpërdorimin e buxhetit,” deklaroi Guri.
Ai përmendi edhe raste konkrete, si emërimi i drejtorit të ATK-së, mosrealizimi i pagesave për punëtorët e RTK-së dhe shpenzimet e kabinetit qeveritar gjatë gjashtë muajve të fundit.
“Sapo pamë shifra enorme për shpenzime luksi – kryesisht derivate dhe udhëtime zyrtare – në një kohë kur nuk kemi asnjë rezultat të prekshëm nga ato shpenzime,” theksoi ai.