Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, ka deklaruar se nuk do të japë votën e tij për asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për postin e kryetarit të Kuvendit, edhe në rast se dy partitë arrijnë marrëveshje për konstituimin e tij.
Në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, Xhaferi ka theksuar se nuk mund të mbështesë persona që, sipas tij, kanë përçarë skenën politike në vend dhe kanë bllokuar kryeqytetin. “Nuk e votojmë asnjë kandidat të VV-së.
Unë personalisht, edhe po të ketë marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, nuk votoj persona që kanë përçarë skenën politike në Kosovë dhe që e kanë bllokuar Prishtinën. Këta persona janë një pjesë e kabinetit qeveritar”, ka deklaruar ai.
Duke komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton se një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk mund të votohet më shumë se tre herë, Xhaferi ka theksuar se deputetja Albulena Haxhiu e ka konsumuar tashmë këtë të drejtë. “Besoj që do të gjendet forca për ta tejkaluar situatën dhe të ketë reflektim.
Ka mundësi për një marrëveshje politike. Ne jemi për konstituim, vendimet duhet të respektohen. Votimi i hapur çel fronte për zgjidhjen e problemit. Albulena Haxhiu nuk duhet të jetë më as propozim, sepse e ka tejkaluar kuotën e propozimeve sipas aktgjykimit të Kushtetueses, dhe besoj se do të ketë një kandidat tjetër”, ka përfunduar Xhaferi.