Lista Serbe ka prezantuar kandidatët për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, si dhe në komunën me shumicë shqiptare të Obiliqit.
Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut është Milan Radojeviq, i cili më parë ka drejtuar këtë komunë deri në nëntor të vitit 2022. Ndërkohë, Novak Zhiviq, aktualisht kryetar i “Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Prishtinës” sipas sistemit serb, është emëruar kandidat për kryetar të Komunës së Graçanicës, bëri të ditur kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.
Zoran Todiq, ish-kryetar i Leposaviqit dhe më vonë edhe i “Autoritetit të Përkohshëm” për këtë komunë sipas sistemit serb, është kandidati për këtë komunë, përkundër shkarkimit të tij të fundit, raporton mediumi në gjuhën serbe “Kim”.
Në komunat e tjera serbe, kandidatët janë:
Milosh Peroviq në Zubin Potok,
Dragisha Miloviq përsëri në garë për kryetar të Zveçanit,
Sasha Millosheviq në Novobërdë,
Tanja Antiq në Ranillug,
Dragan Petkoviq në Partesh,
Bozhidar Dejanoviq në Kllokot,
Ivica Tanasijeviq në Shtërpcë.
Sipas të njëjtit medium, Lista Serbe ka emëruar Goran Dançetoviqin si kandidat edhe për komunën e Obiliqit, e cila ka shumicë shqiptare.
Përveç dhjetë komunave me shumicë serbe, Lista Serbe do të ketë edhe kandidatë për këshilltarë komunalë në nëntë komuna ku serbët janë pakicë: Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Kamenicë, Pejë dhe Vushtrri.
Në total, Lista Serbe do të ketë 239 kandidatë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 12 tetor.
Kryetari i partisë, Zlatan Elek, ka bërë thirrje për unitet politik në këtë proces: “Është absolutisht e nevojshme që ne të jemi të bashkuar, të jemi në marrëveshje, në mënyrë që të fitojmë këtë luftë politike që na pret — domethënë që qytetarët të kenë përfaqësues të përshtatshëm”, deklaroi Elek, sipas mediumit “Kim”.