Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sulmuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “zaptues të Zyrës së Kryeministrit”, që së bashku me vartësit e tij ka lënë bizneset në mëshirë të mafias energjetike.
Sipas Haradinajt, çdo vendim i qeverisë është i paramenduar për të shkatërruar ekonominë dhe për të krijuar privilegje për rrethin e ngushtë të pushtetit.
“Ky veprim shkatërrues nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Rrethi po i ngushtohet çdo ditë dhe fundi i tyre nuk do të jetë i mirë. Pashmangshëm do të përballen me ligjin,” u shpreh ai.
Duke përdorur tone të forta opozitare, Haradinaj theksoi se Kosova duhet të çlirohet nga “gangsterët me agjenda të dyshimta”, duke ironizuar me modelin e qeverisjes Kurti që, sipas tij, ka kthyer vendin në një laborator politik ku qytetari paguan, ndërsa oligarkët fitojnë.
“Kurti erdhi si shpëtimtar, por po ikën si furnizues i oligarkëve të energjisë. Ky pushtet është projektuar për pasurimin e të dëgjueshmëve, jo për mirëqenien e qytetarëve,” përfundoi Haradinaj.