Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka vazhduar sot takimet e tij të përditshme me qytetarët, duke dëshmuar edhe një herë se dëgjimi i zërit të tyre është prioriteti kryesor i punës së tij.
Në mëngjes, në Blinaj, në një atmosferë miqësore e të ngrohtë, ai u ul për kafe me banorë dhe aktivistë, për të diskutuar idetë dhe projektet që do ta çojnë Lipjanin përpara.
Në këto bashkëbisedime të hapura, qytetarët e kanë theksuar vlerësimin e tyre për punën e bërë deri më tani dhe për qasjen e sinqertë e bashkëpunuese të Kryetarit Ahmeti. Shumë rrugë janë ndërtuar, shumë projekte janë realizuar dhe sfida të mëdha janë tejkaluar, por sipas Ahmetit, “rruga jonë vazhdon përtej fjalëve, me punë konkrete për Lipjanin”.
Takimet, të karakterizuara nga pjesëmarrja e gjerë dhe energjia pozitive e aktivistëve, kanë sjellë ide dhe këndvështrime të rëndësishme për zhvillimin e Blinajës dhe qytetit. Ky proces i vazhdueshëm i dëgjimit dhe përfshirjes së qytetarëve është themeli i suksesit të deritanishëm të Kryetarit Ahmeti dhe arsyeja pse ai gëzon besimin e madh të qytetarëve të Lipjanit.
Kryetari Ahmeti mbetet i bindur se Lipjani meriton më shumë dhe se me bashkëpunim, përkushtim dhe transparencë, çdo projekt i nisur do të përfundojë me sukses.
Me qasjen e tij bashkëpunuese dhe punën e palodhur, Kryetari Imri Ahmeti po shkon drejt një fitoreje të sigurt në zgjedhjet lokale të 12 tetorit – një fitore e qytetarëve të Lipjanit dhe e vizionit për një komunë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar.