Policia e Vlorës ka publikuar një njoftim për shtyp, ku bëhen të ditura rrethanat e shpëtimit nga mbytja të një 30-vjeçareje në zonën e Karaburunit.
Sipas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare reaguan menjëherë ndaj një thirrjeje për ndihmë nga qytetarët, të cilët po përpiqeshin të shpëtonin gruan nga mbytja.
“Gjatë patrullimit me mjet lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë kanë konstatuar thirrjet për ndihmë nga pushuesit. Në breg u gjet një shtetase e cila ishte nxjerrë nga deti nga qytetarët, pasi gjatë momenteve kur po notonte kishte pirë ujë dhe rrezikonte të mbytej,” thuhet në njoftim.
“Punonjësit e Policisë Kufitare, së bashku me pushuesit, i dhanë ndihmën e parë në breg, më pas e transportuan me mjetin lundrues drejt portit të Vlorës, ku gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej. Aty u asistua përsëri nga punonjësit e Policisë Kufitare, duke bërë të mundur stabilizimin e gjendjes deri në dorëzimin tek ekipi i urgjencës mjekësore”, njofton policia.
Policia falënderon qytetarët për reagimin e shpejtë dhe thekson se, falë ndërhyrjes së tyre dhe Policisë Kufitare, shtetasja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Rajonal Vlorë.
Gjithashtu strukturat policore apelojnë për kujdes maksimal dhe njofton se strukturat e saj vazhdojnë të jenë të angazhuara për sigurinë e pushuesve dhe turistëve.
Reagim i shpejtë në Karaburun, shpëtohet nga mbytja një grua 30-vjeçare pic.twitter.com/s4Zu2vIm8b
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) August 17, 2025