Të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Engjulli dhe Edonisi, ende nuk janë arrestuar nga Policia e Kosovës, ndonëse kërkimi për ta ka hyrë në javën e dytë.
Ngjarja e rëndë ndodhi para një jave në Gjilan, ku pas të shtënave me armë zjarri, mbetën të vdekur tre persona. Sipas të dhënave të para, dyshohet se motivi i vrasjes ishte një mosmarrëveshje rreth fajdeve.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, të dyshuarit nuk janë lokalizuar ende. Të dielën, Policia e Gjilanit deklaroi se po punohet intensivisht për kapjen e tyre. Por njohës të sigurisë dhe hetimeve thonë se kjo nuk është një detyrë e lehtë, pasi bëhet fjalë për persona të përgatitur dhe me përvojë në shmangien e organeve të rendit.
“S’është e lehtë të gjenden persona të tillë, sepse pas kryerjes së aktit ata përgatisin terrenin dhe shmangen nga çdo komunikim. Jetojnë në mënyrë të fshehur dhe kjo vështirëson hetimin edhe për policinë. Njësitet operative punojnë në terren, pa uniforma, për të grumbulluar informacione që ndihmojnë në lokalizimin e tyre nëse ndodhen ende brenda territorit,” deklaroi për TV Dukagjinin Emrush Kastrati, ish-gjyqtar.
Kastrati theksoi gjithashtu se nuk duhet përjashtuar mundësia që të dyshuarit të kenë kaluar kufirin drejt Serbisë, për shkak të afërsisë gjeografike dhe pranisë së komuniteteve shqiptare atje. Megjithatë, ai paralajmëron se bashkëpunimi juridik me Serbinë është pothuajse i pamundur, ndaj sugjeron përfshirjen e EULEX-it si urë ndërmjetëse për ekstradim.
“Ekziston realisht mundësia që të kenë kaluar në Serbi. Por Serbia nuk bashkëpunon juridikisht me Kosovën. Megjithatë, EULEX-i mund të jetë një kanal për të realizuar këtë proces, nëse ekziston vullnet edhe nga ana e Serbisë,” u shpreh Kastrati.
Edhe Hilmi Canolli, ish-hetues në Policinë e Kosovës, tha se kërkimi i ndihmës nga EULEX-i ose strukturat e UNMIK-ut mbetet e vetmja rrugë për të pasur ndonjë rezultat konkret në këtë drejtim.
“Policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk kanë bashkëpunim direkt. Ky bashkëpunim mund të realizohet vetëm përmes EULEX-it ose përmes presionit diplomatik të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë që të kryejë arrestimin dhe ekstradimin e tyre,” tha Canolli.
Mefail Shkodra, i dyshuari kryesor, ka pasur precedentë të mëhershëm penalë. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit për armëmbajtje pa leje, vjedhje të shërbimeve komunale dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Së bashku me njërin nga djemtë, kishte qenë i arrestuar edhe për veprën penale të fajdes dhe detyrimit gjatë vitit të kaluar, por ishin liruar pasi kishin paguar dorëzaninë.