Presidenti i FIFA-s reagon pas fyerjeve raciste në Kupën e Gjermanisë

by informim peje

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dënuar fyerjet raciste të cilat i cilësoi si “të papranueshme”, të ndodhura gjatë dy ndeshjeve të raundit të 1/32-ve të finales së Kupës së Gjermanisë në futboll, dhe u ka bërë thirrje organizatorëve të garave dhe autoriteteve gjyqësore që të ndërmarrin masa.

“Është tronditëse të shohësh se për herë të dytë brenda pak ditësh, ndodhin fyerje raciste gjatë ndeshjeve të futbollit”, u shpreh me tone të forta Infantino, sipas një emaili që FIFA u ka dërguar mediave gjermane.

banner

Ndeshjet në fjalë, mes Lokomotive Leipzig (Kategoria e 4-t) dhe Schalke 04 (Kategoria e 2-të), si dhe mes Stahnsdorf (Kategoria e 5-të) dhe Kaiserslautern (Kategoria e 2-të), u shoqëruan me “incidente të papranueshme”, sipas kreut të FIFA-s.

Ndeshja e parë u ndërpre përkohësisht pasi sulmuesi i Schalke-s, Christopher Antwi-Adjei, ishte viktimë e fyerjeve raciste. Lojtari me origjinë nga Gana raportoi incidentin tek gjyqtari anësor, dhe loja rifilloi vetëm pas një ndërprerjeje pesëminutëshe.

Edhe ndeshja e dytë u shënua nga një incident racist

Ndeshja e dytë, e luajtur në stadiumin Karl-Liebknecht në Potsdam (në lindje të Gjermanisë), “u shënua gjithashtu nga një fyerje raciste ndaj një lojtari të skuadrës kundërshtare”, theksoi Infantino.

Racizëm edhe në Liverpool

Të premten, gjatë ndeshjes hapëse të Premier League angleze mes Liverpool dhe Bournemouth, një tifoz ofendoi në mënyrë raciste futbollistin ganez të Bournemouth, Antoine Semenyo. Ndeshja u ndërpre përkohësisht dhe autori i fyerjeve u përjashtua nga stadiumi dhe u arrestua të shtunën. Ai është ndaluar të hyjë në stadiume në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të hetimeve, njoftoi policia të hënën.

Infantino: “Nuk ka vend për racizëm në futboll”

“Po e përsëris dhe do të vazhdoj ta bëj: nuk ka vend për racizëm apo ndonjë formë tjetër diskriminimi në futboll,” shtoi Gianni Infantino.
“Ne jemi të vendosur të garantojmë që lojtarët të respektohen dhe të mbrohen, dhe që organizatorët e garave dhe autoritetet gjyqësore të ndërmarrin masat e duhura”, përfundoi presidenti i FIFA-s.

Federata Gjermane e Futbollit (DFB), organizatore e Kupës, njoftoi të hënën se “komisioni i kontrollit po shqyrton incidentet dhe ka hapur hetime ndaj klubeve përkatëse”./Informim.net

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy