Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka konfirmuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë lëshimin e një urdhër-arresti ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetar i Listës Serbe dhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e SNS-së.
Sipas PSRK-së, kërkesa lidhet me përfshirjen e tij në vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës gjatë vitit 2022, kohë kur Rakiqi ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta, bëri të ditur se në kuadër të hetimeve, janë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmerren veprime hetimore, përfshirë edhe intervistimin e të pandehurve të përfshirë në këtë rast penal.
Ajo konfirmoi se tashmë janë intervistuar Zllatan Ellek (kryetar aktual i Listës Serbe), Igor Simiq dhe Sllavko Simiq – të gjithë deputetë aktualë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa për Goran Rakiqin, Luta tha se ai është ftuar tri herë për intervistim:
“Fillimisht ka arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë asnjë arsyetim. Për këtë arsye, me qëllim të sigurimit të prezencës së tij, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata lëshimin e urdhër-arrestit ndaj tij”.
Hetimet e PSRK-së lidhen me rastin e barrikadave të ngritura në vitin 2022 në veri të vendit, për disa vepra penale, përfshirë:
Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare
Thirrje për rezistencë
Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese
Përveç Goran Rakiqit, Prokuroria ka kërkuar urdhër-arrest edhe për 11 persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë rast.