Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila sot njoftoi se bizneset në Kosovë po furnizohen në një treg të hapur dhe konkurrues të energjisë elektrike.
Në një reagim të detajuar, Bajrami e ka cilësuar këtë komunikim si propagandë, duke i akuzuar anëtarët e Bordit të ZRrE-së se janë vënë “në shërbim të qeverisë dhe mafisë energjetike”.
“Ju vetë, në nëntor të vitit 2024, keni miratuar një dokument ku thuhet se tregu i energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë shfaq mungesë konkurrence dhe përqendrim të lartë. A mund ta mohoni këtë?”, ka theksuar ajo.
Deputetja e LDK-së ka kujtuar edhe takimin e 12 majit 2025 në ZRrE, ku, sipas saj, zyrtarët e këtij institucioni kanë pranuar se e vetmja mënyrë për t’i mbajtur bizneset në shërbimin universal ishte ndarja e 50 milionë eurove subvencion nga qeveria. “Pra, nuk është në pyetje ligji, por mungesa e mbështetjes financiare nga qeveria”, shtoi Bajrami.
Ajo ka kritikuar ashpër faktin që, sipas ZRrE-së, 92% e bizneseve tashmë janë duke u furnizuar nga operatorë privatë, por pa dhënë asnjë informacion për depozitat e mëdha që kompanitë janë detyruar të paguajnë tek tregtarët e energjisë, kushtet kontraktuale dhe çmimet e aplikuara.
“Kjo nuk është fitore e tregut të lirë, por fitore e mafisë energjetike, e cila do të ketë pasoja katastrofale për ekonominë vendore. Rritja e çmimeve për produktet vendore dhe të importuara do të jetë dhurata juaj për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Bajrami.
Duke e quajtur situatën “katrahurë energjetike”, ajo ftoi publikisht kryetarin dhe bordin e ZRrE-së në një debat televiziv për të diskutuar dokumentet e miratuara, rolin e kompanive si NOA dhe EFT e Vuk Hamoviqit në treg, si dhe licencimin e operatorëve në veri.
“Ligji nuk është tavolinë suedeze, që zbaton ku do dhe si do. A po e zbatoni Ligjin për liberalizim edhe në katër komunat veriore, ku vepron Elektroserver? Ejani në studio dhe të flasim hapur për përgjegjësinë tuaj”, përfundoi Bajrami.

