Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar përpjekjet e Arabisë Saudite për të ndërmjetësuar procesin e bisedimeve për paqe mes Moskës dhe Kievit.
Gjatë një bisede telefonike me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, Putin ka shprehur mirënjohjen e tij për rolin që Arabia Saudite ka luajtur në këtë proces, pasi në muajin mars Riadi priti negociatorë nga SHBA dhe Rusia.
Sipas Agjencisë Saudite të Lajmeve, Putin e ka falënderuar princin Mohammed për mbështetjen e tij ndaj përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Princi i kurorës rikonfirmoi qëndrimin e Arabisë Saudite për të mbështetur dialogun diplomatik si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare,” raportoi SPA.
Falënderimi i Putinit erdhi pasi ai dhe presidenti amerikan Donald Trump u takuan të premten në Alaska, në takimin e parë mes dy presidentëve që nga nisja e luftës më shumë se tre vite më parë. Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje, dy liderët ranë dakord që procesi i paqes të vazhdojë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, një ditë më pas u takua me Trump në Shtëpinë e Bardhë së bashku me liderë evropianë, duke diskutuar hapat e ardhshëm të procesit. Trump ka theksuar se një takim i drejtpërdrejtë mes Putin dhe Zelenskyy është i domosdoshëm për të vënë në lëvizje marrëveshjen e paqes, ndonëse ka dilema nëse Kremlini do të pranojë një dialog të tillë bilateral.
Përpjekjet amerikane për arritjen e një marrëveshjeje paqeje morën hov në Arabinë Saudite në mars, gjatë takimit të parë në vite mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë, që fokusohej edhe në mundësinë e një armëpushimi detar në Detin e Zi.
Më herët, edhe presidenti Zelenskyy ishte takuar me princin Mohammed në Xheda, ku kishte theksuar rolin e rëndësishëm të Arabisë Saudite në procesin e paqes.
Aktualisht Rusia mban nën kontroll rreth 20% të territorit të Ukrainës, ku jetojnë mbi tre milionë njerëz. Sa territor do të jetë gati të lëshojë Kievi, pritet të jetë një prej çështjeve kyçe në çdo marrëveshje të ardhshme paqeje./The National