Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) reagoi të martën ndaj situatës së tensionuar në Serbi, duke theksuar se autoritetet serbe janë të detyruara të garantojnë të drejtën për tubime paqësore dhe të shmangin përdorimin e pajustifikuar apo të tepruar të forcës policore.
Në një postim në platformën X, ODIHR tha se Serbia ka detyrimin të parandalojë dhunën, në përputhje me angazhimet e saj për të drejtat e njeriut.
“Promovimi i dialogut dhe përgjegjësisë është mënyra më e mirë për të ulur tensionet aktuale,” thuhet në reagim.
Protestat masive në Serbi, të cilat nisën në nëntor 2024 pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit — ku humbën jetën 16 persona — kanë hyrë në një fazë të re që nga 12 gushti, kur shpërthyen përleshje të dhunshme në qytetet veriore Vërbas dhe Baçka Pallanka.
Që nga ajo kohë, protestat janë përhapur në dhjetëra qytete, përfshirë kryeqytetin Beograd. Akuzat për brutalitet policor janë shtuar, ndërsa disa organizata joqeveritare kanë dorëzuar kallëzime penale kundër oficerëve të përfshirë në dhunë ndaj protestuesve.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi të martën se policia “nuk po fsheh asgjë” dhe se “nëse ka pasur tejkalim të autoritetit, përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi”.
Protestuesit, në veçanti studentët, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për humbjen e jetëve në Novi Sad, si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./REL