Pas një pauze që zgjati më shumë se një serial turk pa fund, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sërish për të tentuar konstituimin e institucionit. Dhe siç ndodh zakonisht në skenën tonë politike, më shumë u tha duke mos u thënë asgjë.
Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, u paraqit para mediave me një deklaratë që më shumë ngjante me një takim nostalgjik sesa me një qëndrim institucional: “Moti nuk jemi parë.”
E pra, moti nuk jemi parë, por as sot nuk u kuptua nëse VV-ja ka ndërmend ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i Kushtetueses është i qartë: kryeparlamentari duhet të zgjidhet brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur. Por në vend të një plani konkret, Haxhiu ofori vetëm një përshëndetje miqësore dhe një heshtje strategjike që lë shumë për të dëshiruar.
Në këtë teatër politik ku aktorët flasin pa folur, dhe vendimet interpretohen si skenarë alternativë, mbetet të shihet nëse VV-ja do të zgjedhë të luajë sipas rregullave apo të improvizojë sërish.