Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka ngritur shqetësimin për vonesat e pagesave ndaj zjarrfikësve vullnetarë që, sipas tij, prej dy muajsh nuk kanë marrë asnjë pagë, megjithëse kanë kontrata përmes Komunës dhe Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve.
Në një reagim publik, Ismajli ka theksuar se këta zjarrfikës, të cilët kanë qenë në vijën e parë të rrezikut gjatë përballjes me zjarret e fuqishme në ditët e fundit, po shpërblehen vetëm me neglizhencë e padrejtësi nga pushteti lokal.
“Këta njerëz kanë sakrifikuar ditë e natë për sigurinë e qytetarëve, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Si shpërblim, Komuna u ka kthyer vetëm mohim të pagës dhe mirëqenies për familjet e tyre”, ka deklaruar Ismajli.
Ai e ka cilësuar këtë situatë si të turpshme, duke theksuar se shumë kategori punonjësish kanë mbetur pa paga për muaj të tërë, ndërkohë që “pushteti aktual akomodohet me reklamime të projekteve milionëshe vetëm në vizatime”.
Sipas tij, kjo është jo vetëm fyerje ndaj sakrificës së zjarrfikësve, por edhe shkelje flagrante e të drejtave të punëtorëve.
