Milani ka ndryshuar filozofi. Nga klubi që blinte pa kufi nën drejtimin e Silvio Berlusconit, në një strukturë që sot funksionon me efikasitet financiar dhe shitje strategjike.
Në qendër të këtij transformimi është Igli Tare, drejtori sportiv shqiptar, i cili brenda pak muajve ka shënuar një rekord historik: mbi 200 milionë euro të siguruara nga shitjet dhe huazimet, duke e bërë “tregtarin” më të suksesshëm të klubit në 40 vitet e fundit.
Në vitet ’80, Berlusconi e ndërtoi Milanin si një fuqi blerëse, duke shitur rrallë, madje edhe largimi i Kakàs ndodhi në fund të karrierës së tij.
Më vonë, Yonghong Li investoi pa transparencë financiare, ndërsa me ardhjen e fondit “Elliott”, klubi mori drejtimin e një modeli të qëndrueshëm ekonomik, ku shitjet u bënë pjesë e strategjisë.
Vetëm në sezonin aktual (2025–26), Milani ka arkëtuar 200 milionë euro nga largimet e lojtarëve.
Krahasuar me vitet e mëparshme, kjo është një rritje e jashtëzakonshme: 51.3 milionë në 2024–25, 71.4 milionë në 2023–24, dhe vetëm 5.1 milionë në 2021–22.
Shitjet kryesore nën drejtimin e Tares:
– Malick Thiaw te Newcastle për rreth 40 milionë euro
– Noah Okafor drejt Leeds United për mbi 20 milionë euro
– Theo Hernandez te Al-Hilal për 25 milionë euro
– Emerson Royal te Flamengo për 10 milionë euro
Përveç emrave të mëdhenj, Tare ka menaxhuar me sukses edhe largimet e lojtarëve më pak aktivë si Camarda, Bondo, Terracciano, Liberali, Pobega dhe Colombo, duke siguruar huazime me pagesë dhe klauzola blerjeje që mund të rrisin të ardhurat totale në 220 milionë euro.
Që nga emërimi më 26 maj, Tare ka nisur një transformim të thellë te Milani, duke sjellë Massimiliano Allegrin në pankinë dhe duke zyrtarizuar shtatë afrime të reja. Por është pikërisht në merkaton dalëse ku ai ka shkëlqyer, duke gjeneruar “plusvalenca” të mëdha dhe duke stabilizuar financat e klubit