Kryetarja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar me tone të ashpra dhe të zemëruara ndaj sjelljes së përfaqësuesve të Vetëvendosjes në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), ku u debatua certifikimi i subjekteve politike për zgjedhjet lokale.
Në një postim publik, Bajrami akuzon Vetëvendosjen për hipokrizi të thellë, duke thënë se përfaqësuesit e saj po keqpërdorin patriotizmin si mbulesë për dështimet dhe aferat e qeverisë.
Ajo i cilëson sjelljet dhe tensionet e krijuara në mbledhje nga përfaqësuesit e Vetëvendisjes si të qëllimshme për të penguar një votim racional dhe institucional.
Në postimin e saj, Bajrami shkruan:
“Hajnitë,
dështimet,
tenderët njëburimorë,
nepotizmi,
kapja e institucioneve dhe
lidhjet me mafinë energjetike,
NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe.
Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
Sot po i luani patriotët – hipokrita!”
Burimi i lajmit: https://www.facebook.com/share/p/1ArY1uz7gR/

