Departamenti i Shtetit Amerikan ka nisur një proces të gjerë rishikimi të mbi 55 milionë vizave të lëshuara për të huajt që aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Lajmi raportohet ekskluzivisht nga Associated Press.
Sipas autoriteteve amerikane, të gjithë poseduesit e vizave janë subjekt i monitorimit të vazhdueshëm, me theks të veçantë mbi elementët që mund të çojnë në revokim ose deportim. Një kategori që do të jetë nën kontroll të shtuar janë shoferët e kamionëve.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një reagim në platformën “X”, deklaroi:
“Me efekt të menjëhershëm, do të ndalojmë lëshimin e vizave të punës për kamionistët e huaj. Rritja e numrit të shoferëve të huaj te kamionët e mëdhenj rrezikon jetën e amerikanëve dhe minon të ardhurat e kamionistëve amerikanë.”
Që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata amerikane ka ashpërsuar politikat e imigracionit dhe ka vendosur kritere të reja për aplikuesit për viza, duke përfshirë detyrimin për intervista personale.
Procesi i rishikimit aktual përfshin verifikimin e llogarive në rrjete sociale, kontrollin e regjistrave policorë në vendet e origjinës, si dhe evidentimin e çdo shkeljeje të ligjeve amerikane gjatë qëndrimit në SHBA.