Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka reaguar pas moscertifikimit të partisë së tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke e cilësuar vendimin si “të paligjshëm dhe diskriminues”.
Elek tha se Lista Serbe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar certifikimin e kandidatëve të saj për kryetarë komunash dhe asamble komunale, duke theksuar se partia ka përmbushur të gjitha procedurat e kërkuara.
Sipas tij, asnjë kandidat i Listës Serbe nuk është privuar nga e drejta për të kandiduar me vendim gjykate dhe nuk ka gjoba të papaguara nga institucionet kompetente. Ai shtoi se gjatë dy viteve të fundit partia ka kaluar kontrolle të rrepta financiare dhe është renditur ndër më të rregulltat, ndërsa sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje gjendet në fund të listës për përmbushjen e standardeve ligjore.
“Vendimi i KQZ-së është politik dhe i motivuar nga qëllime të ngushta. Ne do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtën tonë demokratike për pjesëmarrje në zgjedhje,” tha Elek.
KQZ të enjten nuk arriti ta certifikojë Listën Serbe: dy votuan pro (kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe), dy votuan kundër (anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje), ndërsa shtatë përfaqësues të partive të tjera abstenuan.

