Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjeve politike që, sipas tij, po ushtrohen mbi Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Në një deklaratë për media, KGJK-ja ka theksuar se PZAP është institucion i pavarur dhe se çdo përpjekje për ta ndikuar përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë dhe rendit kushtetues në vend.
“Tolerimi i presionit politik rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagim.
KGJK-ja ka kërkuar nga të gjitha palët që të ndalin menjëherë praktikat e tilla dhe që pakënaqësitë t’i adresojnë vetëm përmes rrugëve ligjore.
Në fund, Këshilli Gjyqësor ka riafirmuar angazhimin e tij për të mbrojtur pavarësinë institucionale, duke paralajmëruar se do të reagojë ndaj çdo forme presioni që cenon funksionimin e drejtë dhe të ligjshëm të sistemit gjyqësor në vend.