Një shpërthim i fuqishëm tronditi më 8 gusht 2025 qendrën e Kopaonikut, gjatë punimeve në kantierin e kompanisë “Kopaonik Konstrakšn”, ku po ndërtohet një hotel i ri luksoz.
Sipas raportimeve të gazetës hulumtuese Radar, shpërthimi ndodhi gjatë minimit të dheut për zgjerimin e themeleve. Copëza shkëmbinjsh u përhapën dhjetëra metra larg, duke dëmtuar fasada të ndërtesave përreth dhe duke krijuar rrezik serioz për kalimtarët. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar.
Ky projekt është pjesë e një zhvillimi të madh në Kopaonik, i cili sipas burimeve kontrollohet nga Milan Radoiçiq, organizatori i sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës, dhe partneri i tij i ngushtë në biznes, Zvonko Veselinoviq. Ata dyshohet se kanë ndikim në të gjitha fazat e ndërtimit – nga sigurimi i lejeve deri te furnizimi me materiale.
Një ndër firmat kryesore të përfshira është “BBSE Investments”, e drejtuar nga Andrija Radovanac, i biri i Aleksandar “Rakija” Radovanca, figurë me lidhje të forta në botën e biznesit dhe politikës serbe.
Pas incidentit, autoritetet serbe arrestuan dy persona: D. V., drejtor i kompanisë “NIN Kop” nga Rashka, dhe një punonjës të tij, A. J., të cilët dyshohen për përdorim të paligjshëm të eksplozivëve dhe rrezikim të sigurisë publike.
Fillimisht, ata pretenduan se shpërthimi ishte pasojë e kontaktit të një ekskavatori me një objekt të paidentifikuar, por hetuesit dyshojnë se kjo ishte një përpjekje për të fshehur përdorimin e eksplozivëve.
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se ndërhyrje të tilla jo vetëm dëmtojnë natyrën, por krijojnë edhe pasiguri të madhe për banorët dhe turistët.