Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke folur nga pozita e të parit në qeveri, në një video mesazh drejtuar mërgimtarëve për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka zgjedhur gjuhën e sulmeve ndaj udhëheqësve të partive të tjera në komuna.
Në vend të një thirrjeje unifikuese, Kurti i ka etiketuar kundërshtarët politikë si pjesë e “klaneve” dhe si njerëz që “i shohin komunat si pronë private”. Ai ka insistuar se komunat duhet të drejtohen vetëm nga njerëz që, sipas tij, janë “të ndershëm e të përkushtuar”.
“Me zgjedhjet lokale që po afrojnë, le t’i bëjmë komunat shembull të qytetarisë, të zhvillimit dhe të qeverisjes sonë të mirë”, ka shkruar Kurti, duke e paraqitur fitoren e partisë së tij si kusht për ndryshim.
Në thirrjen drejtuar mërgatës, ai ka potencuar se vota e tyre është vendimtare për “fitoret tona të plota”, duke shtuar se procesi i regjistrimit është i thjeshtë dhe i shpejtë.
Kjo qasje e Kurtit, ku përveç mobilizimit elektoral përdor edhe gjuhë fyes ndaj rivalëve, pritet të ngjallë reagime nga subjektet tjera politike në vend.