Debutimi i trajnerit Erik Ten Hag në Bundesligë me Bayer Leverkusenin nuk shkoi siç pritej, pasi skuadra e tij u mposht 2-1 në shtëpi nga Hoffenheimi, ku protagonist absolut ishte sulmuesi shqiptar Fisnik Asllani.
Leverkuseni e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaloi në epërsi në minutën e 6-të, kur Jarell Quansah shënoi me kokë pas një krosimi të Grimaldos. Mirëpo, vetëm 20 minuta më vonë, Asllani tregoi instinktin e tij prej sulmuesi. Ai u shkëput nga mbrojtja vendase dhe mposhti portierin Flekken me një goditje të saktë, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Pas pushimit, 22-vjeçari vazhdoi të jetë lojtari më i rrezikshëm i Hoffenheimit. Në minutën e 52-të, pas një topi të gjatë nga portieri Baumann, Asllani kontrolloi bukur dhe asistoi për Tim Lemperle, i cili shënoi golin e fitores.
Leverkuseni kërkoi me ngulm barazimin, por nuk ia doli dot, ndërsa Asllani u shpall padyshim lojtari i ndeshjes.
Me këtë paraqitje, sulmuesi i kombëtares shqiptare jo vetëm që prishi debutimin e Ten Hag në Bundesligë, por gjithashtu konfirmoi se do të jetë një nga figurat më të rëndësishme të Hoffenheimit këtë sezon.