Australia ka marrë vendim të dëbojë ambasadorin e Iranit, duke e akuzuar Teheranin se qëndron pas sulmeve me zjarrvënie ndaj objekteve hebraike në Sidnej dhe Melburn. Ky është rasti i parë që Australia dëbon një ambasador që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kryeministri Anthony Albanese tha se shërbimet e inteligjencës kanë arritur në përfundimin “shqetësues” se Irani ka drejtuar të paktën dy sulme antisemitike: një sulm ndaj kafenesë “Lewis Continental” në Bondi të Sidnejt në tetor 2024 dhe një zjarrvënie në sinagogën “Adass Israel” në Melburn, në dhjetor të po atij viti. Në të dy rastet nuk pati të lënduar.
“Bëhet fjalë për akte të rrezikshme agresioni të orkestruara nga një shtet i huaj në territorin australian,” tha Albanese, duke akuzuar Iranin se po përpiqet të minojë kohezionin shoqëror dhe të përhapë përçarje.
Qeveria australiane ka shpallur ambasadorin iranian Ahmad Sadeghi dhe tre diplomatë të tjerë persona non grata, duke u kërkuar të largohen brenda shtatë ditësh. Njëkohësisht, Canberra ka tërhequr ambasadorin e vet nga Teherani dhe ka pezulluar punën e ambasadës atje.
Shefja e diplomacisë australiane, Penny Wong, tha se ky është precedenti i parë i tillë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas saj, lidhjet diplomatike do të mbeten të hapura për mbrojtjen e interesave të qytetarëve australianë, por paralajmëroi se ofrimi i ndihmës konsullore në Iran është “jashtëzakonisht i kufizuar”.
Ndërkohë, Australia ka paralajmëruar legjislacion për ta shpallur Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.
Drejtori i shërbimit të inteligjencës, Michael Burgess, tha se hetimet kanë zbuluar lidhje të drejtpërdrejta mes sulmeve dhe Gardës Revolucionare, e cila dyshohet se ka përdorur një rrjet të ndërlikuar ndërmjetësish për të fshehur rolin e saj. Megjithatë, ai theksoi se diplomatët iranianë në Australi nuk janë përfshirë në këto akte.
Autoritetet australiane po vazhdojnë hetimet edhe për incidente të tjera të dyshuara me prapavijë iraniane.